Gazeta italiane parashikon ndeshjen Mali i Zi – Kosova

Share Messenger

Gazeta online italiane, La Notizia Sportiva, ka parashikuar se ndeshja mes Malit të Zi dhe Kosovës, në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për EURO 2020, do të përfundojë me rezultat 1:1.

Më 2 qershor, ekipi kombëtar i Kosovës i filloi përgatitjet për ndeshjet e qershorit, ku Kosovës do t’i mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm për shkak të lëndimeve, si Hekuran Kryeziu e Valon Berisha.

Kosova fillimisht do të përballet me Malin e Zi në Podgoricë të premten, e pastaj, tri ditë më vonë, “Dardanët” do të udhëtojnë në Sofje për përballjen me Bullgarinë. Që të dyja këto ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupit A të kualifikimeve në EURO 2020.

Edhe pse do të jetë vendase, Mali i Zi s’do ta ketë përkrahjen e tifozëve në stadium për ndeshjen kundër Kosovës, pasi që malaziasit janë dënuar nga UEFA ta zhvillojnë një ndeshje pa tifozë për shkak të thirrjeve raciste në ndeshjen e kaluar, kundër Anglisë.

“Mali i Zi dhe Kosova do të përballen në fushë për ndeshjen e Grupit A, ku Anglia pritet ta zë vendin e parë ndërsa Kombëtaret e tjera janë në garë për pozitën e dytë. Kjo ndeshje do të ketë rëndësi të veçantë pasi që edhe do të jetë hera e parë që këto skuadra përballen mes vete në histori”, shkruan La Notizia Sportiva.

“Mali i Azi ishte zhgënjyes në dy ndeshjet e para, duke barazuar 1:1 kundër Bullgarisë dhe pastaj u turpërua në shtëpi nga Anglia me rezultat 5:1. Në anën tjetër, Kosova po debuton në kualifikime për EURO 2020, pasi u pranua në FIFA dhe UEFA vetëm në vitin 2016”.

“Në ndeshjen e parë. Ata barazuan 1:1 në shtëpi kundër Bullgarisë, mirëpo luajtën mjaft mirë. Kosova është e pamposhtur që 12 ndeshje, prej të cilat tetë i kanë fituar. Ata e mbyllën edhe Ligën e Kombeve pa asnjë disfatë”.

Kosova mund të kualifikohet në EURO 2020 nëse e zë njërin nga dy vendet e para në Grupin A. Nëse dështon në këtë rrugë, Kosova e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs për kualifikime, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

Share Messenger

Më të lexuarat