Trajneri i Shqipërisë flet pas humbjes ndaj Islandes

Share Messenger

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edy Reja, është shprehur tejet i zhgënjyer nga humbja e pësuar sot nga Islanda, duke theksuar se nuk e kanë merituar humbjen.

Edy Reja ka debutuar me humbje te Kombëtarja e Shqipërisë, duke u mposhtur me rezultat minimal 1-0 në udhëtim te Islanda, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikime në Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Pas ndeshjes, Edy Reja ka thënë se i vije keq për ndeshjen e humbur dhe tha se një penallti iu mohua sot nga gjyqtari kryesor i ndeshjes.

“Është për të ardhur keq, pasi e nisëm mirë. 20 minutat e para krijuam shumë raste. Pastaj rendimenti fizik filloi të bjerë. Megjithatë, mund të shënonim, pasi na u mohua një penallti. Ajo që prisnim ne nga goditjet e këndit, nuk sollën atë që ne mendonim. Krijuam shumë raste dhe është për të ardhur keq. Disa episode mund të ishin konsideruar penallti” – tha fillimisht trajneri italian për Supersport.

“Bëmë një ndeshje të mirë, patëm raste por nuk i konkretizuam. Nëse nuk e bën diçka të tillë, atëherë është problem. U munduam të krijojmë raste, sikurse edhe ata me goditje standarde. Loja do merrte rrjedhë tjetër po të finalizonim. Shënuan ata dhe ia dolën. Na vjen keq” – vazhdoi Reja.

“Do analizoj ndeshjen, do shoh ata që janë lodhur. Do mundohem të bëj një grup që të jenë gati. Do ketë ndryshime. Më vjen keq që nuk morëm rezultat. Punuam mirë nga krahët. Gjithashtu ishte edhe një penallti për ne, të paktën kështu m’u krijua opinioni im. Nuk isha i kënaqur nga arbitrimi, penalltia ishte e dukshme’’ – përfundoi trajneri i Kombëtares shqiptare.

Ndeshjen e ardhshme Shqipëria e luan të martën(11qershor) ndaj Moldavisë në “Elbasan Arena”.

Share Messenger

Më të lexuarat